Historiku


Në shtator te vitit 1999, në një ndërtesë në qendër të Tiranës, nisi  rrugëtimin  e saj në fushën e arsimit Instituti Arsimor  “Rreze drite”.Në  fillimet  e saj ajo kishte vetëm  tri klasa të ciklit të ulët me 47 nxënës. Që në hapat e parë ajo dëshmoi se ishte një shkollë serioze e me kërkesa të larta në arsim dhe suksesi nuk vonoi. Rritja e numrit të nxënësve dhe pritshmërive të saj bëri që vetëm pas dy  vitesh të kalonte në institucionin e ri pranë Pallatit të Brigadave. Vit pas viti shkolla e ka rritur ndjeshëm numrin e nxënësve dhe klasave dhe sot ajo shënon një numër prej 22  klasash që e rendisin atë ndër shkollat më prestigjioze e më me nivel në fushën e arsimit jopublik në qytetin e Tiranës e më gjerë. Shkolla e re ka një infrastrukturë moderne që shtrihet në një sipërfaqe të gjerë prej 5000 m2  dhe e vendosur në një nga zonat më piktoreske e më të qeta të Tiranës, rrethuar nga gjelbërimi e ajri i pastër.

 Stafi pedagogjik i kualifikuar e mjaft profesional, mjetet logjistike moderne, ambientet e brendshme të kësaj shkolle  përmbushin  të gjitha kërkesat pedagogjike moderne të kohëve të sotme për mësim dhe edukim. Numri i nxënësve vjen duke u rritur vit pas viti dhe sot në vitin e 15-të të saj ajo numëron mbi 400 nxënës në  ciklit 9-vjeçar dhe të arsimit të mesëm.                   

    Në vitin shkollor 2004-2005 hapi dyert shkolla e mesme e përgjithshme nga bankat e së cilës në vitin mësimor 2007-2008 dalin maturantët e parë.Nga viti në vit shkolla e mesme ka shënuar arritje të larta në  rezulatet e Maturës Shtetërore, duke u bërë një garante e sigurt e së ardhmes  së  maturantëve në degët e përzgjedhura prej tyre, ne sistemin merite - preference. Shumë prej maturantëve tanë sot studiojnë  si brenda vendit dhe jashtë tij në universitetet më prestigjioze dhe në degët më të kërkuara te fakulteteve shteterore, si: mjekësi, informatikë  ekonomike, financë,inxhinieri, drejtësi,   etj

Vitet shkollore , për nxënësit tanë, janë vite pune e mësimi, sa të ngarkuar, po aq edhe të bukur. Përvetësimi nga nxënësit i dijeve shkencore, njohja prej tyre e vlerave kulturore, kombetare e botërore favorizon zhvillimin e tyre sa më të plotë si qytetarë të një vendi demokratik, të aftë për të përballuar sfidat e jetës dhe për të qenë anëtarë të denjë të shoqërisë.